Tashmë edhe klubi i Feronikelit ka njoftuar se mbrojtësi i tyre, Përparim Islami, do jetë pjesë e skuadrës së paku edhe për këtë sezon (2020/21), transmeton Gazeta Metro.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të klubit, KF Feronikeli ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e krahut të djathtë, i cili në fakt vazhdon të jetë i lënduar.
“Përparim Islami është lojtari më i ri i Feronikelit, në fakt mbrojtësi i djathtë vetëm se ka vazhduar me klubin duke arritur akord për të veshur fanellën gjelbër e badhë. Islami ishte pjesë e Feronikelit edhe gjatë viteve të kaluara, ku në ndeshjen ndaj Ballkanit u lëndua duke këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të këmbës së majtë. Feronikeli përveç që ka kryer shpenzimet e operimit të Islamit, i ka ofruar atij kontratë të re, duke përfshirë edhe kohën sa është në rikuperim nga lëndimi. Kontrata e re dëshmon që klubi nuk i ka harruar asnjëherë shërbimet dhe paraqitjet dinjitoze të Përparim Islamit” – thuhet në njoftimin e klubit nga Drenasi.
Ndryshe, Përparim Islami është pjesë e Feronikelit që nga viti 2018, teksa në të kaluarën ka luajtur edhe për Trepçën ’89 e Prishtinën. /gazetametro.net