Loading…

‘Republika e tretë kopalliste’: Afro 700 milionë euro importe brenda një muaji, eksportet mbeten gjashtë herë më të ulëta

  • 23/11/2026 | 22:06

‘Republika e tretë kopalliste’: Afro 700 milionë euro importe brenda një muaji, eksportet mbeten gjashtë herë më të ulëta

Kosova po vazhdon të përballet me një pabarazi të theksuar në tregtinë e jashtme, pasi vlera e mallrave që blen nga shtetet e tjera është shumëfish më e lartë sesa ajo e produkteve që arrin të eksportojë, transmeton Gazeta Metro.


Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tetorin e vitit 2026 tregojnë se vendi ka importuar mallra në vlerë prej 699.3 milionë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur vetëm në 124.2 milionë euro.

Kjo nënkupton se Kosova importon gati gjashtë herë më shumë sesa eksporton, ndërsa mbulimi i importeve përmes eksporteve është vetëm 17.8 për qind.

Si pasojë e këtij disproporcioni, deficiti tregtar në tetor ka arritur në 575.1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur kishte qenë 530 milionë euro.

Ndonëse eksportet kanë shënuar rritje vjetore prej 35.3 për qind, kjo nuk ka mjaftuar për të zvogëluar hendekun me importet, të cilat gjatë së njëjtës periudhë janë rritur për 12.5 për qind.

Një prej shqetësimeve kryesore që dalin nga këto shifra është varësia e lartë e tregut kosovar nga produktet e importuara. Pjesën më të madhe të importeve e përbëjnë produktet minerale me 18.6 për qind, të pasuara nga makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 12.3 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.5 për qind.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës vazhdojnë të mbështeten kryesisht në metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të cilët përbëjnë 23.3 për qind të eksporteve të përgjithshme. Pas tyre renditen produktet minerale me 20.6 për qind dhe plastika e goma me 10.7 për qind.

Pabarazia vërehet edhe në shkëmbimet tregtare me Bashkimin Evropian. Në tetor, Kosova ka eksportuar drejt vendeve të BE-së 35.3 milionë euro mallra, ndërsa prej tyre ka importuar produkte në vlerë prej 283.6 milionë eurosh.

Edhe në raport me vendet e tjera, importet mbeten dukshëm më të larta. Nga shtetet jashtë BE-së dhe CEFTA-s janë importuar mallra në vlerë prej 330.9 milionë eurosh, ndërsa eksportet në këtë grup kanë arritur vetëm 22.9 milionë euro.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin tetor 2026./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë