Mbi 100 objekte të lidhura me tragjedinë e Titanikut janë shitur në ankand në Britani të Madhe, duke arritur çmime të larta.
Artikulli më i shtrenjtë ishte një orë e artë xhepi, që i përkiste pasagjeres Mary Mangan, e shitur për rreth 298 mijë euro. Ndërsa një unazë diamanti e Lady Duff Gordon u shit për afro 179 mijë euro.
Në mesin e objekteve ishte edhe një letër e shkruar nga pasagjeri Ramon Artagaveitia Gomez, e cila arriti çmimin prej 95 mijë eurosh. Po ashtu, një biletë e rrallë e anijes u shit për 54 mijë euro, ndërsa një dokument sigurimi për 32 mijë euro.
Ankandi u organizua nga shtëpia “Henry Aldridge and Son”. Përfaqësuesi i saj, Andrew Aldridge, tha se interesi i madh për këto objekte dëshmon se historia tragjike e Titanikut vazhdon të tërheqë vëmendje në mbarë botën.
Titaniku u fundos më 15 prill 1912, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1.500 personave.