Loading…

Vera, çokollata e mjaltë në emër të Xhelalit: MPB’ja hap tender mbi 4 mijë për dhurata të fundvitit

  • 23/11/2026 | 12:35

Vera, çokollata e mjaltë në emër të Xhelalit: MPB’ja hap tender mbi 4 mijë për dhurata të fundvitit

Çokollatë vendore, verë, mjaltë, çaj bio, lajthi e bajame – këto janë disa nga produktet që Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, synon t’i paketojë në 156 dhurata për ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare me rastin e festave të fundvitit.


Festat e fundvitit po afrojnë dhe bashkë me to edhe përgatitjet për dhuratat institucionale. Kësaj radhe, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nën drejtimin e Xhelal Sveçlës, ka hapur procedurë prokurimi për furnizim me dhurata që do t’u dedikohen ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Sipas dosjes së tenderit, vlera e parashikuar e kontratës është 4 mijë e 500 euro, ndërsa parashihet furnizimi me gjithsej 156 pako dhuratash, të ndara në dy kategori.

Në njërën kategori janë paraparë 26 pako, ndërsa në tjetrën 130 pako, me dallimin kryesor te përmbajtja e tyre: njëra përfshin lëng natyral pa sheqer, ndërsa tjetra një shishe verë.

Për 26 pakot e para, MPB-ja kërkon kuti prej kartoni të fortë, me dimensione 35x30x10 centimetra, të mbushura me fije letre dekorative dhe të lidhura me shirit dekorativ.

Brenda tyre duhet të vendosen çokollatë e prodhimit vendor, me peshë 100 deri në 150 gramë, një litër lëng 100 për qind natyral pa sheqer, po ashtu prodhim vendor, si dhe 100 gramë produkte të përziera, përfshirë lajthi, bajame dhe arra.

Lista vazhdon me çaj bio vendor, 250 mililitra mjaltë në gotë qelqi, të shoqëruar me një lugë druri, si dhe një gotë porcelani me kapacitet 250 mililitra, e cila duhet të ketë logon e MPB-së. Edhe në paketim kërkohet vendosja e një etikete me logon e ministrisë.

Ndërkaq, për 130 pakot e tjera, specifikimet teknike parashohin pothuajse të njëjtën përmbajtje dhe paketim, me një ndryshim në listën e produkteve. Në vend të lëngut natyral pa sheqer, këto pako duhet të përmbajnë një shishe verë 750 mililitra, të cilësisë së prodhimit vendor.

Edhe në këtë kategori kërkohet çokollatë vendore prej 100 deri në 150 gramë, 100 gramë lajthi, bajame dhe arra, çaj bio vendor, 250 mililitra mjaltë në gotë qelqi me lugë druri dhe gotë porcelani 250 mililitra me logon e MPB-së.

Të gjitha pakot duhet të kenë paketim të kartonit të fortë, fije letre dhe shirit dekorativ, ndërsa logoja e ministrisë duhet të jetë e vendosur si në gotën e porcelanit, ashtu edhe në etiketën e paketimit.

Afati i fundit për pranimin e ofertave është 24 nëntori 2026

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë